Shkarkoni dokumentin në pdf

 

RENDI I MESHËS

 

Ritet fillestare

  1. Pasi të jetë bashkuar populli, meshtari me shërbestarët shkon tek altari, ndërkaq këndohet kënga e hyrjes.

Kur arrin tek altari, bashkë me shërbestarët, e nderon atë me përkulje të thellë, e puth dhe, sipas rrethanave, kemon kryqin dhe altarin. Mandej, bashkë me shërbestarët, shkon te selia.  Kur mbaron kënga e hyrjes, meshtari dhe besimtarët, në këmbë, bëjnë shenjën e kryqit dhe meshtari, me fytyrë nga populli, thotë:

Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt.

Populli përgjigjet: Amen.

  1. Atëherë meshtari, duke i shtrirë duart, përshëndet popullin, duke thënë:

Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit, dashuria e Hyjit dhe bashkimi i Shpirtit Shenjt qoftë me ju të gjithë.

   Ose:

Zoti qoftë me ju.

Populli përgjigjet:  Dhe me shpirtin tënd.

 

Ipeshkvi, në vend të Zoti qoftë me ju, në këtë përshëndetje të parë, thotë:

Paqja me ju.

  1. Meshtari ose diakoni, ose ndonjë tjetër shërbestar, mund t’ua paraqesë me pak fjalë besimtarëve Meshën e asaj dite.

Riti i pendimit 

  1. Atëherë vazhdon riti i pendimit, për të cilin meshtari i fton besimtarët duke thënë:

Vëllezër e motra, t’i pranojmë mëkatet tona,  që të mund t’i kremtojmë denjësisht misteret e shenjta.

Bëhet një heshtje e shkurtër. Mandej të gjithë së bashku thonë trajtëzën e rrëfimit të përgjithshëm:

Po i rrëfehem Hyjit të gjithëpushtetshëm dhe juve,   vëllezër e motra,  se kam mëkatuar shumë,  me mendime, me fjalë, me vepra dhe me lëshime:

dhe duke e rrahur parzmën, thonë:

për fajin tim, për fajin tim, për më të madhin fajin tim.

Atëherë vazhdojnë:

Prandaj po i porositem së lumes Mari gjithmonë Virgjër,  të gjithë engjëjve, shenjtërve dhe juve, vëllezër e motra,  që t’i luteni për mua Zotit, Hyjit tonë.

 

 

Vijon zgjidhja e meshtarit:

Hyji i gjithëpushtetshëm pastë mëshirë për ne,  na i faltë mëkatet tona dhe na përcjelltë në jetën e pasosur.

Populli përgjigjet:  Amen.

_____________________________________________________________________________________________________________________________________________

  1. Vijojnë thirrjet: O Zot, ki mëshirë, nëse nuk janë përdorur më parë në ndonjë ndër mënyrat e ritit të pendimit.
  2. O Zot, ki mëshirë. P. O Zot, ki mëshirë.
  3. O Krisht, ki mëshirë. P. O Krisht, ki mëshirë.
  4. O Zot, ki mëshirë. P. O Zot, ki mëshirë.

 

  1. Mandej, kur është e caktuar, këndohet apo thuhet himni: Lavdi Hyjit në lartësitë qiellore e paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë. Ne po të lëvdojmë, po të bekojmë, po të adhurojmë, po të madhërojmë, po të falënderojmë për lavdinë tënde të pakufi. Zot Hyj, Mbret qiellor, Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.

Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,

Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Biri i Atit,

Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne,

Ti që shlyen mëkatet e botës, pranoje lutjen tonë.

Ti që rri në të djathtën e Atit, ki mëshirë për ne. Sepse vetëm Ti je Shenjti, vetëm Ti je Zoti,  vetëm Ti je i Tejetlarti, o Jezu Krisht,  së bashku me Shpirtin Shenjt, në lavdinë e Hyjit Atë. Amen.

  1. Me të kryer himni, me duar të bashkuara, thotë: Të lutemi.

Të gjithë bashkë me meshtarin luten për pak kohë në heshtje. 

Pastaj meshtari, me duar të shtrira, thotë kolektën e kur të kryhet ajo, populli njëzëri thotë:

Amen.

Liturgjia e fjalës

  1. Lexuesi shkon te amboni dhe lexon leximin e parë, të cilin të gjithë e dëgjojnë ndenjur.

Për të shënuar mbarimin e leximit, lexuesi shton:  Fjala e Zotit.

Të gjithë thonë njëzëri:  Falënderojmë Hyjin.

  1. Psalmisti ose kantori këndon ose thotë psalmin, kurse populli thotë përgjigjen.
  2. Pastaj, nëse duhet të merret leximi i dytë, lexuesi e lexon atë në ambon, si më parë.

Për të shënuar mbarimin e leximit, lexuesi shton: Fjala e Zotit.

Të gjithë thonë njëzëri: Falënderojmë Hyjin.

  1. Vijon Aleluja, ose ndonjë këngë tjetër, e caktuar nga rubrikat, sipas kohës liturgjike.
  2. Ndërkaq meshtari vendos kem në kemore, nëse përdoret. Pastaj diakoni, që do të shpallë Ungjillin, i përkulur para meshtarit, kërkon bekimin duke thënë me zë të ulët: Më beko, o atë.

Meshtari thotë me zë të ulët: 

Zoti qoftë në zemrën tënde dhe në buzët e tua,  që ta shpallësh denjësisht dhe aftësisht Ungjillin e tij:  në emër të Atit e të Birit X e të Shpirtit Shenjt. Diakoni bën shenjën e kryqit dhe përgjigjet: Amen.

Nëse nuk ka diakon, meshtari, i përkulur para altarit, thotë me zë të ulët:

O Hyj i gjithëpushtetshëm, m’i pastro zemrën dhe buzët,  që të mund ta shpall denjësisht Ungjillin tënd të shenjtë.

  1. Pastaj diakoni apo meshtari shkon te amboni dhe, nëse është e përshtatshme, atë e shoqërojnë shërbestarët me kemore e me qirinj dhe thotë: Zoti qoftë me ju.

Populli përgjigjet: Dhe me shpirtin tënd.

Diakoni apo meshtari: Leximi prej Ungjillit të shenjtë sipas E. dhe ndërkaq shënon librin edhe veten me kryq në ballë, në gojë e në zemër.  Populli përgjigjet: Lumturi të qoftë ty, o Zot.

Atëherë diakoni apo meshtari, nëse përdoret kemi, e kemon librin dhe shpall Ungjillin. 

  1. Pas Ungjillit, diakoni ose meshtari thotë: Fjala e Zotit.

Të gjithë përgjigjen: Lavdi ty, o Krisht.

Atëherë e puth librin duke thënë nën zë:

Me anën e fjalëve të Ungjillit u shlefshin fajet tona.

  1. Atëherë bëhet homilia, që duhet mbajtur nga meshtari ose nga diakoni çdo të diel e të kremte të urdhëruar; ditëve të tjera porositet.

 

  1. Pas homilisë, këndohet ose thuhet, kur është e caktuar, simboli ose shpallja e fesë:

Besoj në një Hyj të vetëm, Atin e gjithëpushtetshëm,  krijuesin e qiellit e të tokës, të gjitha sendeve që shihen dhe që nuk shihen. Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin, një të vetmin Birin e Hyjit, të lindur prej Atit para të gjithë shekujve. Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës,  Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë.

I lindur, jo i krijuar, i njëqenshëm me Atin, nëpërmjet të cilit janë krijuar të gjitha sendet. 

Ai, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiellit.

     Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët u bë njeri, të gjithë përkulen:

E u mishërua për virtyt të Shpirtit Shenjt prej Virgjërës Mari dhe u bë njeri. U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat, pësoi dhe u varros dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve e u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit. Dhe përsëri do të vijë me lavdi  për të gjykuar të gjallët e të vdekurit, e mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

Besoj në Shpirtin Shenjt, që është Zot dhe jetëdhënës,

që rrjedh prej Atit e prej Birit, që me Atin e me Birin adhurohet e lavdërohet, që foli me anë të profetëve.

Edhe një Kishë të vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike. 

Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve. Pres ngjalljen e të vdekurve dhe jetën e pasosur. Amen.

  1. Në vend të simbolit Nikeo-Konstandinopolitan, veçanërisht në kohën e Kreshmëve dhe të Pashkëve, mund të përdoret simboli pagëzimor i Kishës së Romës, i ashtuquajtur Simboli i Apostujve.

Besoj në Hyjin, 

Atin e gjithëpushtetshëm, Krijuesin e qiellit e të tokës.

Besoj në Jezu Krishtin, Birin e tij të vetëm, Zotin tonë, 

     Në fjalët që vijojnë, deri në fjalët prej Virgjërës Mari, të gjithë përkulen:

i cili u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt, lindi prej Virgjërës Mari, pësoi mundimet nën Poncin Pilat,  u kryqëzua, vdiq e u varros, zbriti në mbretërinë e vdekjes, të tretën ditë u ngjall prej të vdekurve, u ngjit në qiell, rri në të djathtën e Atit të gjithëpushtetshëm, prej aty do të vijë për të gjykuar të gjallët e të vdekurit.

Besoj në Shpirtin Shenjt,  Kishën e shenjtë katolike,  shoqërinë e shenjtërve, faljen e mëkateve,  ngjalljen e trupit, jetën e pasosur. Amen.

  1. Atëherë thuhet lutja e gjithmbarshme ose e besimtarëve.

Liturgjia e Eukaristisë

  1. Me të kryer të këtyre, fillon kënga e kushtimit. Ndërkaq shërbestarët vendosin mbi altar korporalin, purifikatorin, kelkun dhe mesharin.
  2. Është mirë që besimtarët ta shprehin pjesëmarrjen e tyre me ndonjë kushtim, duke kushtuar ose bukën dhe verën për kremtimin e Eukaristisë, ose dhurata të tjera për nevojat e Kishës apo të skamnorëve.
  3. Meshtari, në këmbë pranë altarit, merr patenën me bukë dhe, duke e lartësuar pak mbi altar me të dy duart, thotë me zë të ulët: I bekuar je Ti, o Zot, Hyj i gjithësisë: prej bujarisë sate e morëm bukën  që po ta kushtojmë, fryt i tokës dhe i punës së duarve të njerëzve: do të bëhet për ne buka e jetës së pasosur.

Atëherë e ul patenën me bukë mbi korporal.

Nëse nuk këndohet kënga e kushtimit, meshtari mund t’i thotë këto fjalë me zë të lartë; në fund populli mund të brohorasë:

Qoftë bekuar Zoti në amshim.

  1. Diakoni apo meshtari hedh verën dhe pak ujë në kelk, duke thënë me zë të ulët: Me anën e misterit të këtij uji dhe të kësaj vere u bëfshim pjesëtarë të natyrës hyjnore të Jezu Krishtit, i cili u denjua të marrë natyrën tonë njerëzore.
  2. Pastaj meshtari merr kelkun, e mban pak të lartësuar mbi altar me të dy duart dhe thotë me zë të ulët:

I bekuar je Ti, o Zot, Hyj i gjithësisë:  prej bujarisë sate e morëm verën  që po ta kushtojmë, fryt i hardhisë dhe i punës së duarve të njerëzve:  do të bëhet për ne pije shpirtërore.

Atëherë e ul kelkun mbi korporal. 

Nëse nuk këndohet kënga e kushtimit, meshtari mund t’i thotë këto fjalë me zë të lartë; në fund populli mund të brohorasë:

Qoftë bekuar Zoti në amshim.

  1. Pastaj meshtari, i përkulur, thotë me zë të ulët:

Na prano, o Zot, të përvuajtur në shpirt e të penduar në zemër; 

bëj që sot flia jonë të jetë e tillë para fytyrës sate  që të të pëlqejë ty, o Zot Hyj.

  1. Dhe, nëse përdoret kemi, meshtari kemon dhuratat, kryqin dhe altarin. Mandej diakoni ose shërbestari kemon meshtarin dhe popullin.
  2. Pastaj meshtari, në këmbë në anë të altarit, lan duart duke thënë me zë të ulët: Më laj, o Zot, prej çdo faji dhe më pastro prej çdo mëkati.
  3. Mandej, në këmbë në mesin e altarit, me fytyrë nga populli, duke i shtrirë dhe duke i bashkuar duart, thotë:

Lutuni, o vëllezër e motra, që flia ime dhe e juaja  të dalë e pëlqyeshme para Hyjit Atë të gjithëpushtetshëm.

Populli çohet dhe përgjigjet:

Zoti e pranoftë flinë prej duarve të tua,  e ajo daltë për nder e lavdi të emrit të tij,  si edhe për dobinë tonë  dhe të mbarë Kishës së tij të shenjtë.

  1. Atëherë me duar të shtrira, meshtari thotë lutjen mbi dhurata. Në fund populli brohoret:

Amen.

LUTJA EUKARISTIKE II

  1. Kjo lutje, edhe pse ka prefacionin e vet, mund të thuhet edhe me prefacione të tjera, veçanërisht me ato që përshkruajnë në mënyrë sintetike misterin e shpëtimit, sikurse janë prefacionet e përbashkëta.
  2. Zoti qoftë me ju.
  3. Dhe me shpirtin tënd.
  4. T’i lartësojmë zemrat.
  5. I kemi te Zoti.
  6. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
  7. Është punë e denjë dhe e drejtë.

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,  është detyra jonë dhe burim shpëtimi,  të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,  o Zot, Atë i shenjtë,  nëpër Birin tënd të dashur, Jezu Krishtin. 

Ai është Fjala jote nëpër të cilën ke krijuar gjithçka dhe na e ke dërguar për Shpëtimtar e Shëlbues, të mishëruar për virtyt të Shpirtit Shenjt  dhe të lindur prej Marisë Virgjër. Ai, për ta kryer vullnetin tënd

dhe për të fituar për ty një popull të shenjtë  i shtriu duart në mundimet e veta,  për të shkatërruar vdekjen e për të shpallur ngjalljen.

Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe me të gjithë shenjtërit,  po këndojmë lavdinë tënde duke thënë njëzëri:

  

Shenjt, Shenjt, Shenjt, Zoti, Hyji i gjithësisë. 

Qielli e toka janë plot me lavdinë tënde. 

Hosana në lartësitë qiellore. 

Bekuar qoftë Ai që vjen në emër të Zotit.  Hosana në lartësitë qiellore.

  1. Meshtari, me duar të shtrira, thotë:

Me të vërtetë je shenjt, o Zot, burim i çdo shenjtërie.

  1. I bashkon duart dhe, duke i mbajtur të shtrira përmbi dhurata, thotë: Ty, pra, po të lutemi, shenjtëroji këto dhurata me hirin e Shpirtit tënd,

i bashkon duart dhe shënon me kryq bukën dhe kelkun njëherësh, duke thënë: që të bëhen për ne Korpi e X Gjaku i Zotit tonë, Jezu Krishtit.

I bashkon duart.

  1. Në trajtëzat që vijojnë fjalët e Zotit të shqiptohen qartazi dhe në mënyrë të kuptueshme, si e lyp vetë natyra e këtyre fjalëve.

Ai, kur vullnetarisht po pranonte mundimet,

merr bukën dhe, duke e mbajtur pakëz të lartësuar mbi altar, vazhdon:

mori bukën, të falënderoi, e theu,  ua dha nxënësve të vet dhe tha:

përkulet pakëz:

MERRNI E HANI TË GJITHË PREJ KËTIJ:

KY ËSHTË KORPI IM

QË DO TË FLIJOHET PËR JU.

Ia dëfton popullit hosten e shuguruar, e ul mbi patenë dhe gjunjëzohet në adhurim. 

  1. Pastaj vazhdon:

Po ashtu, pasi u krye darka,

merr kelkun dhe, duke e mbajtur pakëz të lartësuar mbi altar, vazhdon:

mori edhe kelkun, përsëri të falënderoi,  ua dha nxënësve të vet dhe tha:

përkulet pakëz:

MERRNI E PINI TË GJITHË PREJ TIJ:

KY ËSHTË KELKU I GJAKUT TIM,

I BESËLIDHJES SË RE DHE TË AMSHUAR

QË DO TË DERDHET PËR JU 

E PËR SHUMË NJERËZ

PËR FALJEN E MËKATEVE.

BËJENI KËTË NË PËRKUJTIMIN TIM.

Ia dëfton popullit kelkun, e ul mbi korporal, dhe gjunjëzohet në adhurim. 

  1. Pastaj thotë: Misteri i fesë.

Populli brohoret:

  1. Kumtojmë vdekjen tënde, o Zot, shpallim ngjalljen tënde dhe presim ardhjen tënde me lumturi.

 

  1. Pastaj meshtari, me duar të shtrira, thotë:

Prandaj, o Zot, duke përkujtuar vdekjen e ngjalljen e Birit tënd,  po ta kushtojmë bukën e jetës dhe kelkun e shpëtimit,  e po të falënderojmë që na lejove  të qëndrojmë para teje e të të shërbejmë ty. Po të lutemi me përvujtëri  që Shpirti Shenjt të na bashkojë në një trup të vetëm,  të gjithë ne që po marrim pjesë në Korpin e Gjakun e Krishtit. Le të të bjerë në mend, o Zot, për Kishën tënde,  të shpërndarë në katër anët e botës. Përsose në dashuri  bashkë me papën tonë E., me ipeshkvin tonë E. dhe me gjithë klerin tënd.

 

Në meshët për të vdekur, mund të shtohet:

Le të të bjerë në mend për vëllain (motrën) tonë  E., që (sot) e ke thirrur nga kjo jetë tek ti: 

dhe sikurse me pagëzim e ke bashkuar me Birin tënd në vdekje,  po ashtu bashkoje me të edhe në ngjalljen e tij.

 

Le të të bjerë në mend edhe për vëllezërit tanë e motrat tona,  të cilët pushuan me shpresë të ngjalljes edhe për të gjithë ata që vdiqën në mëshirën tënde. Pranoji edhe ata në dritën e fytyrës sate.

Po të lutemi: ki mëshirë edhe për ne të gjithë,  që të bëhemi pjesëtarë në jetën e pasosur  me Marinë Virgjër, Hyjlindëse,  me shën Jozefin, fatin e saj,

me shenjtërit apostuj e me të gjithë shenjtërit,  që gjithherë të pëlqyen,  që të të madhërojmë dhe të të lëvdojmë,

I bashkon duart. nëpër Jezu Krishtin, Birin tënd.

 

 

  1. Merr patenën me hosten dhe kelkun e duke i lartësuar, thotë:

 

Nëpër Krishtin e me Krishtin dhe në Krishtin,  ty, o Atë, Hyj i gjithëpushtetshëm,  në bashkim me Shpirtin Shenjt,  të qoftë çdo nder e lavdi,  për të gjithë shekujt e shekujve.

Populli brohoret:

Amen.

 

Riti i kungimit

  1. Meshtari, pasi të ketë ulur kelkun dhe patenën, me duar të bashkuara, thotë: Të nxitur nga urdhri i Shëlbuesit dhe sipas mësimit të tij hyjnor, marrim guxim të themi:

I shtrin duart e, bashkë me popull, thotë:

Ati ynë, që je në qiell,                    

u shenjtëroftë emri yt,  ardhtë mbretëria jote,  u bëftë vullnesa jote si në qiell ashtu në tokë. Bukën tonë të përditshme na e jep sot;  na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë; 

e mos na lër të biem në tundim,  por na liro nga i keqi.

  1. Me duar të shtrira vazhdon vetëm meshtari e thotë:

Na liro, po të lutemi, o Zot, prej të gjitha të këqijave dhe, për mirësinë tënde, na jep paqen në ditët tona,

e, në saje të mëshirës sate,  do të lirohemi përgjithmonë prej mëkatit  e do të jemi të sigurtë prej çdo turbullimi, duke pritur shpresën e lume:  ardhjen e Shpëtimtarit tonë Jezu Krishtit.

I bashkon duart. Populli e përfundon lutjen me brohoritje:

Ti, o Zot, je mbret,

Ti je i gjithëpushtetshëm,

Ti je i lumtur në amshim.

  1. Pastaj meshtari, me duar të shtrira, me zë të qartë, thotë:

O Zot, Jezu Krisht, Ti u ke thënë apostujve të tu:  “Po ju lë paqen, po ju jap paqen time”,  mos i shiko mëkatet tona, por fenë e Kishës sate, jepi asaj, sipas vullnetit tënd, paqe dhe bashkim.

I bashkon duart.

Ti që jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.

Populli përgjigjet: Amen.

  1. Meshtari, i sjellë nga populli, duke i shtrirë dhe duke i bashkuar duart, shton:

Paqja e Zotit qoftë gjithmonë me ju.

Populli përgjigjet: Dhe me shpirtin tënd.

  1. Pastaj, nëse është e përshtatshme, diakoni ose vetë meshtari, shton: Jepjani njëri-tjetrit shenjën e paqes.

Të gjithë shndërrojnë njëri me tjetrin shenjën e paqes; meshtari i jep paqen diakonit ose shërbestarit. 

  1. Pastaj merr Hosten, e thyen përmbi patenë dhe e vendos një copë në kelk e thotë me zë të ulët:

Korpi e Gjaku i Zotit tonë Jezu Krishtit,  të bashkuar në këtë kelk,  u bëfshin, për ne që po i marrim në zemër,  ushqimi i jetës së pasosur.

  1. Ndërkaq këndohet apo thuhet:

O Qengji i Hyjit, Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne.

O Qengji i Hyjit, Ti që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne.

O Qengji i Hyjit, Ti që shlyen mëkatet e botës, jepna neve paqen.

Mund të përsëritet edhe më shumë, nëse vonohet me ndarjen e bukës. Herën e fundit thuhet: Jepna neve paqen.

  1. Pastaj meshtari, me duar të bashkuara, thotë me zë të ulët:

O Zot Jezu Krisht, Biri i Hyjit të gjallë,  Ti që, për vullnet të Atit,  me bashkëveprim të Shpirtit Shenjt,  me anën e vdekjes sate ia solle botës jetën, me anën e këtij Korpi e Gjaku tënd të shuguruar 

më liro prej të gjitha fajeve të mia dhe prej të gjitha të këqijave  dhe bëj që t’u rri gjithnjë besnik urdhërimeve të tua e mos lejo kurrë të ndahem prej teje.

Ose:

Kungimi me Korpin dhe Gjakun tënd, o Zot Jezu Krisht,  mos të bëhet për mua gjykim dënimi, 

por, në saje të mirësisë sate,  u bëftë bar për mbrojtjen e shpirtit dhe të trupit.

 

  1. Meshtari gjunjëzohet, merr Hosten dhe, duke e mbajtur pakëz të lartësuar përmbi patenë ose mbi kelkun, me fytyrë nga populli, thotë me zë të qartë:

Ja Qengji i Hyjit, ja Ai që shlyen mëkatet e botës. Lum ata që janë të thirrur në gostinë e Qengjit.

Dhe, bashkë me popull, shton vetëm një herë:

O Zot, unë nuk jam i denjë që të marr pjesë në tryezën tënde,  por thuaj një fjalë të vetme, e shpirti im do të shërohet.

  1. Meshtari, me fytyrë prej altarit, thotë me zë të ulët:

Korpi i Krishtit më ruajtë për jetën e pasosur.

Dhe me nderim e merr Korpin e Krishtit.  

Pastaj merr kelkun e thotë me zë të ulët:

Gjaku i  Krishtit më ruajtë për jetën e pasosur.

Dhe me nderim e merr Gjakun e Krishtit. 

  1. Pastaj merr patenën apo piksidën, u afrohet atyre që duan të kungohen, ia dëfton secilit Hosten pakëz të lartësuar dhe thotë: Korpi i Krishtit.

Ai që kungohet përgjigjet: Amen.

Dhe kungohet. Kështu vepron edhe diakoni, nëse e ndan kungimin e shenjtë. 

  1. Nëse jepet kungim nën të dy dukjet, le të mbahet riti i përshkruar në vendin e vet.
  2. Ndërsa meshtari merr Korpin e Krishtit, fillon kënga e kungimit.
  3. Si të jetë kryer kungimi, meshtari apo diakoni ose akoliti e pastron patenën përmbi kelk si dhe kelkun.

Ndërsa pastron kelkun, meshtari thotë me zë të ulët:

Çka morëm me gojë, o Zot, e kuptofshim me mendje të pastër  e dhurata e përkohshme na u bëftë bar shërimi i përhershëm.

  1. Tani meshtari mund të kthehet te selia. Sipas rrethanave, mund të rrihet në heshtje për pak kohë ose mund të këndohet ndonjë psalm apo këngë lavdi.
  2. Pastaj, në këmbë te selia apo tek altari, meshtari, me fytyrë drejt popullit, me duar të bashkuara, thotë: Të lutemi.

Të gjithë, bashkë me meshtarin, luten për pak kohë në heshtje, nëse nuk e kanë bërë këtë më parë. Pastaj meshtari, me duar të shtrira, thotë Lutjen pas kungimit. Populli në mbarim thotë:

Amen.

Riti i përfundimit

  1. Vazhdojnë, nëse duhen bërë, lajmërime të shkurtra për popull.
  2. Vijon dërgimi. Meshtari, me fytyrë nga populli, duke i shtrirë duart, thotë: Zoti qoftë me ju.

Populli përgjigjet: Dhe me shpirtin tënd.

Meshtari e bekon popullin duke thënë: Ju bekoftë Hyji i gjithëpushtetshëm,  Ati e Biri X e Shpirti Shenjt.

Populli përgjigjet:

Amen.

  1. Në disa ditë apo raste, para kësaj trajte të bekimit vjen, sipas rregullave, një trajtë tjetër më kremtore e bekimit, apo lutja mbi popull (krh. fqq. 511-524).
  2. Në meshë pontifikale kremtuesi merr mitrën dhe, me duart e shtrira, thotë: Zoti qoftë me ju.

Të gjithë përgjigjen:

Dhe me shpirtin tënd.

Kremtuesi thotë: 

Qoftë bekuar emri i Zotit

Të gjithë përgjigjen: që tani e deri në amshim.

Kremtuesi thotë: 

Ndihma jonë është në Emër të Zotit, 

Të gjithë përgjigjen: që krijoi qiellin e tokën.

Atëherë kremtuesi, duke mbajtur pastoralin (nëse përdoret), thotë:

Ju bekoftë Hyji i gjithëpushtetshëm,  Ati X e Biri X e Shpirti X Shenjt.

Të gjithë përgjigjen:

Amen.

  1. Pastaj diakoni apo meshtari, me duar të bashkuara, me fytyrë drejt popullit, thotë:

Mesha u krye: shkoni në paqe.

Populli përgjigjet:

Falënderojmë Hyjin.

  1. Tani meshtari e nderon, si zakonisht, me të puthur altarin, si në fillim.

Pastaj, bashkë me shërbestarët, i bën nderimin e duhur altarit dhe tërhiqet. 

  1. Nëse fill pas Meshe bëhet ndonjë veprim liturgjik, riti i lëshimit nuk mbahet.

E DIELA I E ARDHJES

Antifona e Hyrjes                                                                               Krh. Ps 24, 1-3

Te Ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim. 

Hyji im, në ty shpresoj, mos lejo të turpërohem! 

Të mos ngihen në mua armiqtë e mi! 

Kushdo shpreson në ty nuk do të mbetet i turpëruar. 

 

Nuk thuhet Lavdi

 

Kolekta

Jepu po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm, besimtarëve të tu vullnetin  që, me vepra të mira, të dalin para Krishtit tënd që po vjen,  kështu që, të vënë në të djathtën e tij,  të meritojnë ta fitojnë mbretërinë qiellore.  Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Thuhet Besoj

 

Lutja mbi dhurata

Pranoji, po të lutemi, o Zot, dhuratat  që i morëm prej bujarisë sate e po t’i kushtojmë dhe pasi Ti na mundëson të kremtojmë këtë mister, bëj të fitojmë shpërblimin e shëlbimit të amshuar.  Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Prefacioni i Ardhjes, I

 

Antifona e Kungimit                                                                           Ps 84, 13

Zoti do ta japë të mbarën,  e toka jonë do ta japë frytin e vet.

 

Lutja pas kungimit

Na vleftë, po të lutemi, o Zot,  pjesëmarrja në këto mistere të shenjta, me të cilat, në këtë jetë të kalueshme tokësore, na mëson t’i duam të mirat qiellore të amshueshme.  Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

E DIELA KRISHTLINDJES

 

Antifona e Hyrjes                                                                                          Is 9, 5

Na lindi një foshnjë, fituam një djalë, mbi supet e tij u vu shenja e mbretërisë dhe emrin e ka: Engjëlli i Këshillit të lartë.

 

Thuhet Lavdi

 

Kolekta

O Hyj, ti që denjësinë e natyrës njerëzore  mrekullisht e trajtove dhe më mrekullisht e ke përtrirë, bëj, po të lutemi,

të bëhemi pjesëtarë të Hyjnisë së Jezu Krishtit, i cili u denjua të marrë pjesë në natyrën tonë njerëzore, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Thuhet Besoj. Në fjalët E u mishërua bien në gjunjë.

 

Lutja mbi dhurata

Të të pëlqejë, o Zot, flia e së kremtes së sotme. Ajo është burimi i pajtimit tonë të përsosur me ty, dhe përsosmëria e nderimit tonë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Prefacioni i Krishtlindjes, fqq. 432-434.

 

Antifona e Kungimit                                                                          Krh. Ps 97, 3

Të gjitha skajet e botës e panë shpëtimin e Hyjit tonë.

 

Lutja pas kungimit

O Hyj i mëshirshëm, sot ka lindur Shpëtimtari i botës. Bëj që ai, i cili na ka lindur për një jetë hyjnore, të na japë edhe dhuratën e pavdekshmërisë. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.

E DIELA I E KRESHMËVE

Antifona e hyrjes                                                                                Krh. Ps 90, 15-16

Do të më thërrasë dhe do ta vështroj, do ta liroj dhe do ta madhëroj,  do t’i dhuroj një jetë të gjatë.

 

Nuk thuhet Lavdi.

 

Kolekta

Bëj, o Hyj i gjithëpushtetshëm, që me përjetimin e sivjetshëm të kreshmëve  të përparojmë në kuptimin e mistereve të Krishtit dhe ta dëshmojmë me një jetë të denjë.  Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Thuhet Besoj.

 

Lutja mbi dhurata

Bëj, po të lutemi, o Zot,

të bëhemi të denjë për të kushtuar këto dhurata,  me të cilat po kremtojmë  fillimin e këtij sakramenti të nderueshëm.  Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit                                                                                      Mt 4, 4

Njeriu nuk jeton vetëm prej buke,  por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit.

 

Lutja pas kungimit

Të përtërirë me bukën qiellore, 

me të cilën ushqehet feja, rritet shpresa dhe forcohet dashuria,  bëj, o Zot, të kemi uri për Krishtin,  i cili është buka e gjallë dhe e vërtetë,  që të mund të jetojmë prej çdo fjale që del nga goja jote.  Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

MESHA E DITËS SË NGJALLJES SË ZOTIT

Antifona e hyrjes                                                                   Krh. Ps 138, 18.5-6

U ngjalla dhe tani jam me ty, aleluja, Ti e vure dorën tënde mbi mua, aleluja, e mrekullueshme është dija jote për mua, aleluja, aleluja.

Ose:                                                                                          Lk 24, 34; krh. Zb 1, 6

Me të vërtetë u ngjall Zotëria, aleluja. Atij i qoftë lavdia dhe sundimi  në shekujt e shekujve, aleluja, aleluja.

Thuhet Lavdi.

Kolekta

O Hyj, Ti në ditën e sotme na e hape derën e jetës së amshuar, në saje të fitores së të Njëlindurit Birit tënd mbi vdekjen:

bëj, po të lutemi,

që ne, të cilët po e kremtojmë ngjalljen e Krishtit, të përtërirë në Shpirtin Shenjt, të ngjallemi në dritën e jetës së pasosur. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

Thuhet Besoj.

Lutja mbi dhurata

Të përshkuar plotësisht me gëzimet e Pashkëve,

po ta kushtojmë, o Zot, flinë,  me të cilën Kisha jote  mrekullisht rilind dhe ushqehet. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

Antifona e Kungimit                                                                          1 Kor 5, 7-8

Krishti, Pashka jonë, tanimë është flijuar, prandaj le të kremtojmë me bukë të pabrumë  të pastërtisë dhe të së vërtetës, aleluja.

Lutja pas kungimit

Mbroje, o Hyj, me dashuri të përhershme Kishën tënde,

të cilën e përtërite me misteret e Pashkëve, që të arrijë edhe ngjalljen e lavdishme. Nëpër Krishtin Zotin tonë. 

Mesha u krye: shkoni në paqe, aleluja, aleluja. P. Falënderojmë Hyjin, aleluja, aleluja.

E DIELA E RRËSHAJËVE

Antifona e hyrjes                                                                   Rom 5, 5; krh. 8, 11

Dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona  me anë të Shpirtit të tij që banon në ne, aleluja.

 

Thuhet Lavdi.

 

Kolekta

O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshueshëm,  Ti deshe që misteri i Pashkëve  të kremtohet gjatë pesëdhjetë ditëve:  bëj që, nëpërmjet dhuratës së Shpirtit Shenjt, të gjithë popujt, e ndarë në gjuhë të ndryshme, të bashkohen duke shpallur lavdinë e emrit tënd.  Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Thuhet Besoj.

 

Lutja mbi dhurata

I përshkoftë, o Zot, dhuratat tona  bekimi i Shpirtit Shenjt dhe me anë të tyre jepi Kishës sate atë dashuri  që e bën për botën shenjë të dukshme të shpëtimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit                                                                                       Gjn 7, 37

Ditën e fundit të festës, Jezusi u ngrit dhe tha:  Kush ka etje le të vijë tek unë e të pijë, aleluja.

 

Lutja pas kungimit

E paçim në ndihmë, o Zot, këtë kungim të shenjtë,  dhe na e dhashtë atë Shpirt Shenjt,  që aq mrekullisht e ndikove në apostujt e tu.  Nëpër Krishtin Zotin tonë.

JAVA I “GJATË VITIT”

Antifona e hyrjes

E pashë Zotin se po rrinte mbi fron të lartë, e adhuronte një shumicë e madhe engjëjsh, që së bashku këndonin: Ja ai që mbretëron për amshim.

 

Kolekta

Po të lutemi, o Zot, përcilli me dashuri qiellore kushtet e popullit tënd që po të lutet:  të kuptojë çka i lypet të bëjë  dhe atë ta zbatojë me dashuri. 

Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Lutja mbi dhurata

Të të pëlqejë, po të lutemi, o Zot, kushti i popullit tënd,  e me të na shenjtëro dhe na jep çka po të kërkojmë.  Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

Antifona e kungimit                                                                                       Ps 35, 10

Te Ti, o Zot, është burimi i jetës  dhe në dritën tënde ne e shohim dritën.

Apo:                                                                                                                 Gjn 10, 10

Unë erdha që ta kenë jetën,  që ta kenë me plotësi, thotë Zoti.

 

Lutja pas kungimit

Me përvujtëri, po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm: Ti, që na ushqeve me sakramentet e tua,  bëj që të të shërbejmë me jetën tonë.  Nëpër Krishtin Zotin tonë.

NË SALIKIME

Antifona e hyrjes                                                                             Krh. 4 Ezd 2, 34-35

Jepu, o Zot, pushimin e pasosur e u ndrittë drita e pambaruar.

 

Kolekta

O Hyj, Atë i gjithëpushtetshëm,

feja na mëson se Biri yt Jezu Krishti vdiq e u ngjall, bëj, po të lutemi, që në saje të këtij misteri shërbëtori yt E., i cili pushoi në Krishtin, të meritojë të ngjallet nëpër Krishtin, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

Ose:

O Hyj, Ti je mëshira që fal: po të lutemi për shërbëtorin tënd E.

të cilin (sot) e thirre të kalojë te ti; pasi ai shpresoi dhe besoi në ty, bëj të arrijë në atdheun e vërtetë  dhe t’i fitojë gëzimet e përjetshme. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

Lutja mbi dhurata

Po ta kushtojmë, o Zot, këtë fli për shpëtimin e shërbëtorit tënd E.

e po i lutemi mirësisë sate:

pasi ai besoi se Biri yt është Shpëtimtari i botës, bëj të gjejë në të Gjykatësin e mëshirshëm. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.

 

Antifona e kungimit                                                                     Krh. 4 Ezd 2, 34-35

Drita e amshueshme i ndrittë ata, o Zot, me shenjtërit e tu në amshim, sepse Ti je i mirë.

Jepu, o Zot, pushimin e pasosur e u ndrittë drita e pambaruar, me shenjtërit e tu në amshim, sepse Ti je i mirë.

 

Lutja pas kungimit

O Zot Hyj, në sakramentin e Korpit të vet, Biri yt na dhuroi ushqimin për shtegtim te ti; bëj që, nëpër të, vëllai ynë E.

të arrijë në tryezën e amshueshme të Krishtit, që jeton e mbretëron në shekujt e shekujve.

PREFACIONI I ARDHJES

 

  1. Zoti qoftë me ju.
  2. Dhe me shpirtin tënd.
  3. T’i lartësojmë zemrat.
  4. I kemi te Zoti.
  5. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
  6. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,  është detyra jonë dhe burim shpëtimi  të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,  o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,  nëpër Krishtin, Zotin tonë.

 

Ai, me ardhjen e parë në përvujtërinë e natyrës sonë njerëzore,  e çoi në vend premtimin e vjetër dhe na hapi rrugën e shpëtimit të amshuar, që, kur të vijë së dyti me lavdinë e madhërisë së vet, të mund të marrim të mirat e premtuara,  që tani guxojmë t’i shpresojmë duke i pritur me kujdes.

 

Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,  me frone dhe zotërues

dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,  po këndojmë himnin e lavdisë sate  duke thënë pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt... 

          

PREFACIONI I KRISHTLINDJES

 

  1. Zoti qoftë me ju.
  2. Dhe me shpirtin tënd.
  3. T’i lartësojmë zemrat.
  4. I kemi te Zoti.
  5. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
  6. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,  është detyra jonë dhe burim shpëtimi  të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,  o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar: 

 

Sepse me anën e misterit të Fjalës së mishëruar,  është shfaqur në sytë e mendjes sonë  drita e re e shkëlqimit tënd, kështu që, duke e njohur Hyjin në mënyrë të dukshme,  nëpërmjet tij tërhiqemi kah dashuria e gjërave të padukshme.

 

Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,  me frone dhe zotërues, 

dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,  po këndojmë himnin e lavdisë sate  duke thënë pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt... 

PREFACIONI I KRESHMËVE

 

  1. Zoti qoftë me ju.
  2. Dhe me shpirtin tënd.
  3. T’i lartësojmë zemrat.
  4. I kemi te Zoti.
  5. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
  6. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,  është detyra jonë dhe burim shpëtimi  të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,  o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,  nëpër Krishtin, Zotin tonë.

 

Ti çdo vit mirësisht bën që besimtarët e tu t’i presin me gëzim dhe me shpirt të pastruar misteret e Pashkëve,  kështu që, duke i kryer me zell 

detyrat e përshpirtërisë dhe veprat e dashurisë,  me pjesëmarrje të shumtë në misteret me të cilat u rilindën,  të arrijnë plotësinë e hirit të bijësisë në shpirt.

 

Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,  me frone dhe zotërues, 

dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,  po këndojmë himnin e lavdisë sate  duke thënë pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt... 

PREFACIONI I PASHKËVE

 

  1. Zoti qoftë me ju.
  2. Dhe me shpirtin tënd.
  3. T’i lartësojmë zemrat.
  4. I kemi te Zoti.
  5. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
  6. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,  është detyra jonë dhe burim shpëtimi  të të lëvdojmë ty, o Zot, në çdo kohë,  por sidomos të madhërojmë më me hare  në këtë (natë) (ditë) (kohë),  kur u flijua Krishti, Pashka jonë.

 

Dhe njëmend ky është Qengji i vërtetë  që i shleu mëkatet e botës: duke vdekur, e shkatërroi vdekjen tonë dhe, duke u ngjallur, na përtëriu jetën.

 

Prandaj njerëzimi në mbarë botën galdon me harenë e plotë të Pashkëve.  Por edhe fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore  e këndojnë himnin e lavdisë sate  duke thënë pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt... 

PREFACIONI PËR TË DIELAT “GJATË VITIT”

 

  1. Zoti qoftë me ju.
  2. Dhe me shpirtin tënd.
  3. T’i lartësojmë zemrat.
  4. I kemi te Zoti.
  5. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
  6. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,  është detyra jonë dhe burim shpëtimi  të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,  o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,  nëpër Krishtin, Zotin tonë.

 

Në saje të veprës së tij të mrekullueshme  të kryer me misterin e Pashkëve, 

ne, që ishim nën zgjedhën e mëkatit dhe të vdekjes, tani e kemi për nder të quhemi  fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull i fitores sate,  për ta shpallur gjithkund fuqinë tënde,  pasi na thirre prej territ në dritën tënde të mrekullueshme.

 

Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,  me frone dhe zotërues dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,  po këndojmë himnin e lavdisë sate,  duke thënë pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt... 

PREFACIONI I EUKARISTISË SË SHENJTË

 

  1. Zoti qoftë me ju.
  2. Dhe me shpirtin tënd.
  3. T’i lartësojmë zemrat.
  4. I kemi te Zoti.
  5. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
  6. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,  është detyra jonë dhe burim shpëtimi  të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,  o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar,  nëpër Krishtin, Zotin tonë.

 

Ai, Prifti i vërtetë dhe i amshuar,  duke themeluar trajtën e përhershme të flisë,  i pari t’u kushtua ty, si fli për shpëtimin tonë  dhe neve na urdhëroi ta kushtojmë në përkujtimin e tij.  Trupi i tij i flijuar për ne, kur e marrim në kungim, na përtërin në fuqi dhe gjaku i tij, i derdhur për ne, kur e pimë,  na pastron prej të gjitha mëkateve.

 

Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,  me frone dhe zotërues dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,  po këndojmë himnin e lavdisë sate,  duke thënë pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt... 

PREFACIONI I SHËN MARISË VIRGJËR

 

  1. Zoti qoftë me ju.
  2. Dhe me shpirtin tënd.
  3. T’i lartësojmë zemrat.
  4. I kemi te Zoti.
  5. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
  6. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,  është detyra jonë dhe burim shpëtimi  të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,  o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

 

Dhe po të lavdërojmë,  po të bekojmë dhe po të shpallim në ….. e shën Marisë përherë Virgjër. Ajo, për virtyt të Shpirtit Shenjt, 

ngjizi në kraharorin e vet të njëlindurin Birin tënd, dhe, pa e prishur nderin e virgjërisë,  ia fali botës dritën e amshuar,  Jezu Krishtin, Zotin tonë. 

 

Nëpër të engjëjt e lavdërojnë madhërinë tënde, zotëruesit të adhurojnë dhe dridhen pushtetet. Qiejt e fuqitë qiellore dhe serafinët e lumtur bashkohen për të brohoritur me galdim. 

Me ta, po të lutemi, bëj të marrin pjesë edhe zërat tanë,  ndërsa përvuajtërisht po themi:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt... 

PREFACIONI I APOSTUJVE

 

  1. T’i lartësojmë zemrat.
  2. I kemi te Zoti.
  3. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
  4. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,  është detyra jonë dhe burim shpëtimi  të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,  o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

 

Ti bari i amshuar, nuk e le grigjën tënde,  por me anën e apostujve të shenjtë  e ruan dhe e mbron vazhdimisht,  që të udhëhiqet nga ata  të cilët Biri yt i caktoi t’i prijnë  porsi barinj në emrin e tij.

 

Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,  me frone dhe zotërues dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,  po këndojmë himnin e lavdisë sate,  duke thënë pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt... 

PREFACIONI PËR SHENJTËR

 

  1. Zoti qoftë me ju.
  2. Dhe me shpirtin tënd.
  3. T’i lartësojmë zemrat.
  4. I kemi te Zoti.
  5. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
  6. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,  është detyra jonë dhe burim shpëtimi  të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,  o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

 

Ty të jep lavdi shoqëria e shenjtërve,  kurse Ti, duke i shpërblyer meritat e tyre,  i kurorëzon vetë me dhuratat e tua. Në jetën e tyre na jep shembullin e jetës,  në bashkësi me ta na jep miqësinë e tyre,  e, me ndërmjetësinë e tyre, ndihmën. Kështu, të përforcuar me aq shumë dëshmitarë,  të sulemi ngadhënjimtarë në luftën që na pret  për të ndarë me ta të njëjtën kurorë të lavdisë së përhershme, nëpër Krishtin, Zotin tonë.

 

Dhe prandaj, me engjëj dhe kryeengjëj  dhe me korin e të gjithë shenjtërve  po të këndojmë himnin e lavdisë sate  duke thënë pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt... 

PREFACIONI PËR SHENJTËR MARTIRË

 

  1. T’i lartësojmë zemrat.
  2. I kemi te Zoti.
  3. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
  4. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,  është detyra jonë dhe burim shpëtimi  të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,  o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar.

 

Sepse, gjaku i derdhur i shën E., martir,  sipas shembullit të Krishtit, në dëshmim të Emrit tënd,  shfaq mrekullitë e tua,  me të cilat përkryen në ligështi virtytin  dhe fuqitë e dobëta i forcon për të bërë dëshmi, nëpër Krishtin, Zotin tonë.

 

Dhe prandaj me fuqitë qiellore gjithherë të kremtojmë mbi tokë duke i kënduar madhërisë sate pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt... 

 

PREFACIONI I PËRBASHKËT

 

  1. T’i lartësojmë zemrat.
  2. I kemi te Zoti.
  3. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
  4. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,  është detyra jonë dhe burim shpëtimi  të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,  o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, nëpër Krishtin, Zotin tonë.

 

Nëpër të të pëlqeu të ripërtërish çdo gjë  dhe të gjithë neve na dhe mundësinë  të bëhemi pjesëmarrës të përsosmërisë së tij.  Ai, edhe pse Hyj i vërtetë, e përuli veten  dhe, me anë të gjakut të derdhur mbi kryq,  i fali paqen mbarë botës. 

Kështu, i lartësuar mbi të gjitha krijesat,  u bë shkaku i shpëtimit të amshuar  për të gjithë ata që e dëgjojnë.

 

Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,  me frone dhe zotërues  dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,  po këndojmë himnin e lavdisë sate,  duke thënë pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt... 

 

PREFACIONI PËR TË VDEKUR

 

  1. T’i lartësojmë zemrat.
  2. I kemi te Zoti.
  3. Të falënderojmë Zotin, Hyjin tonë.
  4. Është punë e denjë dhe e drejtë.

 

Përnjëmend është punë e denjë dhe e drejtë,  është detyra jonë dhe burim shpëtimi  të të falënderojmë gjithmonë e gjithkund ty,  o Zot, Atë i shenjtë, Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, nëpër Krishtin, Zotin tonë.

 

Nëpër Të na shkëlqeu shpresa e ngjalljes së lume  kështu që, edhe pse na trishton gjendja e sigurt e vdekjes,  na ngushëllon premtimi i pavdekësisë së ardhshme.  Sepse besimtarëve të tu, o Zot,  jeta nuk u merret por u shndërrohet  dhe, ndërsa u shkatërrohet kjo banesë tokësore,  u çelet në qiell një banesë e amshuar.

 

Dhe prandaj, bashkë me engjëj dhe kryeengjëj,  me frone dhe zotërues,  dhe me të gjithë aradhën e ushtrisë qiellore,  po këndojmë himnin e lavdisë sate,  duke thënë pa pushim:

 

Shenjt, Shenjt, Shenjt...